Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me aksidentin e rëndë rrugor në Rumani, ku humbën jetën shtatë tifozë të PAOK-ut dhe tre të tjerë mbetën të plagosur rëndë. Mes viktimave ishte edhe një shtetas shqiptar, ndërsa një tjetër bashkëkombës ndodhet mes të plagosurve.
Sipas dëshmisë së njërit prej të rinjve të plagosur, timoni i furgonit dyshohet se u bllokua gjatë një manovre parakalimi, për shkak të aktivizimit të sistemit të asistencës për mbajtjen e korsisë. “Timoni u bllokua gjatë parakalimit për shkak të ndihmësit të korsisë”, mësohet se i ka deklaruar i riu mjekut grek Dimitris Koukoulas, i cili ndodhej në spitalin ku u transportuan të plagosurit. Kjo deklaratë u bë publike nga vetë mjeku gjatë një interviste për televizionin shtetëror grek ERT.
Megjithatë, autoritetet rumune theksojnë se kjo dëshmi mbetet për t’u verifikuar nga hetimi zyrtar. Ekspertët e sigurisë rrugore sqarojnë se sistemi i asistencës së korsisë çaktivizohet automatikisht kur shoferi përdor sinjalin e kthesës, pasi sistemi e “kupton” se ndërrimi i korsisë bëhet qëllimisht. Në pamjet filmike të aksidentit, sinjali i kthesës duket i ndezur, çka ngre dyshime mbi ndërhyrjen reale të sistemit në drejtimin e mjetit.
Ngjarja e rëndë ndodhi në Qarkun Timiş, në rrugën DN6–E70, pranë qytetit Lugoj, në hyrje të unazës rrugore. Një kamera e vendosur në një kamion që qarkullonte në të njëjtin aks ka regjistruar momentin fatal. Në pamje shihet furgoni i zi me dhjetë tifozë të PAOK-ut, i cili sapo kishte parakaluar kamionin, teksa fillimisht lëviz drejt korsisë së djathtë, por më pas devijon papritur në korsinë e kundërt, duke u përplasur ballë për ballë me një kamion që vinte përballë.
Përplasja ishte tejet e dhunshme, duke e hedhur furgonin jashtë rruge dhe duke shpërndarë objekte nga brenda mjetit. Bilanci ishte tragjik: shtatë viktima dhe tre të plagosur rëndë. Udhëtimi drejt Lionit të Francës, për të ndjekur ndeshjen e ekipit të tyre në Europa League, u shndërrua në një nga aksidentet më të rënda rrugore që kanë tronditur komunitetin e tifozëve grekë dhe shqiptarë.