Një lajm i trishtë ka ardhur nga Konispoli! Biznesmeni i njohur, Fatmir Shero ka ndërruar jetë, duke lënë pas një dhimbje të madhe te të gjithë ata që e njohën dhe bashkëpunuan me të.
Lajmi i kobshëm për ndarjen e tij nga jeta është bërë publik nga i biri, Arjol Shero. Përmes një postimi në rrjetet sociale ai ka ndarë dhimbjen e thellë për humbjen e të atit dhe ka bërë me dije edhe detajet e ceremonisë mortore.
“Me hidhërim të thellë njoftoj ndarjen nga jeta të babait tim të dashur, Fatmir Shero. Varrimi do të bëhet ditën e enjte, më 23 prill, në orën 10:00, në varrezat e Vlorës. Miq, shokë dhe të afërm janë të mirëpritur të na gjenden pranë në këtë dhimbje të madhe. Zoti e mëshiroftë dhe e pastë në kujdesin e Tij”, shkruan ai.
Ndarja nga jeta e Fatmir Sheros vjen si një goditje e rëndë për Konispolin dhe zonën përreth, ku ai njihej si një sipërmarrës i suksesshëm dhe një njeri i përkushtuar ndaj komunitetit. I lindur dhe rritur në këtë qytet, ai nuk u shkëput kurrë nga vendlindja, duke kontribuar ndër vite si në administratë, ashtu edhe në fushën e biznesit, ku investimet e tij ndikuan drejtpërdrejt në zhvillimin e zonës.
