Aleatët e NATO-s reaguan me konfuzion pasi presidenti Donald Trump njoftoi dërgimin e 5 mijë trupave shtesë amerikane në Poloni, vetëm pak ditë pasi zyrtarë të administratës së tij kishin mbështetur anulimin e një plani të ngjashëm.
Trump tha se SHBA do të dërgojë trupa shtesë në Poloni, por nuk u bë e qartë nëse vendosja do të jetë e përhershme apo e përkohshme.
Deklarata erdhi pasi zëvendëspresidenti JD Vance kishte thënë se Polonia është në gjendje të mbrohet me mbështetjen amerikane dhe se reagimet ndaj anulimit të planit ishin të ekzagjeruara.
Ministrat e jashtëm të NATO-s, të mbledhur në Suedi, mirëpritën njoftimin, por disa prej tyre thanë se mesazhet nga Uashingtoni janë të paqarta dhe të vështira për t’u ndjekur.
Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio pranoi se mund të ketë reduktime të trupave amerikane në Evropë, por tha se kjo nuk është masë ndëshkuese.
Trump ka kritikuar vazhdimisht vendet evropiane të NATO-s për shpenzimet e ulëta ushtarake dhe ka kërkuar që ato të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit.
Ndërkohë, liderët evropianë po përpiqen të rrisin investimet në mbrojtje dhe të ruajnë mbështetjen amerikane brenda aleancës./cbsnews.com