Shqipëria ka dënuar sot sulmet iraniane ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe. Lajmi konfirmohet nga mediat vendase të cilat i referohen një telefonate që kryeministri Edi Rama ka zhvilluar me presidentin e Emirateve, Mohamed bin Zayed Al Nahyan, ku edhe ka shprehur qëndrimin zyrtar të Tiranës për situatën e tensionuar në rajon.
Gjatë telefonatës Rama i cilësoi sulmet si shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së OKB-së, duke theksuar se Shqipëria qëndron në krah të Emirateve për çdo masë që ato marrin për mbrojtjen e sovranitetit dhe sigurisë së tyre.
Gjatë bisedës të dy liderët diskutuan edhe për përshkallëzimin e shpejtë ushtarak në rajon duke theksuar se tensionet duhet të ndalen sa më parë dhe konflikti të mos zgjerohet, pasi rrezikon të fusë rajonin në një fazë të rrezikshme paqëndrueshmërie, me pasoja jo vetëm për Lindjen e Mesme, por edhe për sigurinë globale.
Presidenti i Emirateve falënderoi Shqipërinë për mbështetjen dhe solidaritetin në këtë moment delikat. Përshkallëzimi i situatës në Lindjen e Mesme nisi pas sulmeve të përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit gjatë fundjavës.
Situata agravoi deri në vrasjen e liderit suprem iranian, çka u pasua me kundërpërgjigje të menjëhershme nga Teherani. Irani lëshoi qindra raketa balistike dhe dronë jo vetëm drejt Izraelit, por edhe drejt disa vendeve të Gjirit Persik, përfshirë Emiratet, Arabinë Saudite, Omanin, Bahreinin, Kuvajtin dhe Katarin.