Seanca e parë në orën 09:30, trupi gjykues drejtohet nga Engjëllushe Tahiri
Gjykata e Posaçme ka caktuar datën 9 mars për nisjen e gjykimit në themel të çështjes penale ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Seanca do të zhvillohet në orën 09:30.
Trupin gjykues e kryeson gjyqtarja Engjëllushe Tahiri, me anëtare Alma Kodraliu dhe Rudina Palloj.
Vendimin për kalimin e dosjes në gjykim gjykata e mori më 9 shkurt, duke përfshirë në proces Erion Veliajn, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe 28 persona të tjerë, individë dhe subjekte juridike. Veliaj ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025. Prokuroria e Posaçme depozitoi kërkesën për gjykim pesë muaj më parë.
Prokuroria i ngarkon Veliajt 13 vepra penale, mes tyre korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit. Sipas aktakuzës, ai ka kryer korrupsion pasiv në 9 raste në raport me kompani që kanë marrë leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës, ndërsa në këmbim kanë ofruar përfitime në para dhe pasuri të paluajtshme.
Ajola Xoxa akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse. Ajo përballet gjithashtu me akuza për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave.
Në të njëjtën çështje, disa biznesmenë akuzohen për korrupsion aktiv ndaj funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, si dhe për fshehje të ardhurash dhe pastrim parash.
Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që synojnë pengimin e zbulimit të së vërtetës. Gardiani i burgut të Durrësit, Fatjon Baci, akuzohet për futje ose mbajtje të sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim, pasi i ka dhënë telefon Veliajt gjatë transferimit nga qelia në gjykatë në dy raste.
Gjykata do të shqyrtojë provat dhe pretendimet e palëve në vijim të procesit.