Një burrë rreth 40 vjeç ka humbur jetën në një aksident në Liqenin e Shkodrës, pasi varka e tij u përmbys në kanalin e Plavnica-s në Mal të Zi. Një person që ndodhej në mjetin lundrues është lënduar, ndërsa po kërkohet edhe një person i tretë, për të cilin dyshohet se mund të ketë humbur jetën.
Këtë e kanë bërë të ditur jozyrtarisht për “Vijesti” nga Drejtoria e Policisë, duke theksuar se aksidenti ka ndodhur rreth orës 18:10.
“Ka ndodhur një aksident – mjeti lundrues është përmbysur. Sipas informacioneve të deritanishme, një person ka humbur jetën”, njoftuan nga Policia, transmeton Vijesti.
Ata sqaruan se bëhet fjalë për një burrë 40-vjeçar.
“Një person ka pësuar lëndime dhe është paraqitur në Qendrën e Emergjencës në KBC, ndërsa është duke vazhduar kërkimi për personin e tretë, për të cilin dyshohet se ka qenë në të njëjtën varkë. Hetimet janë në vijim”, njoftuan autoritetet.
Ata shtuan se për rastin është njoftuar prokurori kompetent.
“Shkaku i vdekjes për momentin është i panjohur”, deklaruan ata.